UBT News

​BQK bënë me dije vlerësimet e raportit të progresit

Banka Qendrore e Kosovës është shprehur e përkushtuar në zhvillimin e kornizës ligjore dhe infrastrukturës financiare të nevojshme për të mbështetur rritjen ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë, në pajtim me mandatin e saj.

Në komunikatën “Bashkimi Evropian vlerëson stabilitetin e sektorit bankar të Kosovës dhe reformat e ndërmarra nga Banka Qendrore të Republikës së Kosovës në Raportin për Kosovën 2024″, BQK ka renditur disa nga vlerësimet e këtij raporti.

“Komisioni Evropian ka publikuar raportin e tij të fundit mbi progresin e Kosovës drejt procesit të integrimit evropian, në të cilin ka vlerësuar zhvillimet kryesore të sistemit financiar dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) duke identifikuar fushat që kërkojnë përafrim të mëtejshëm me standardet e BE-së. Raporti vlerëson sistemin bankar si të qëndrueshëm dhe me një ritëm të fuqishëm të zgjerimit, me nivele të larta kapitalizimi dhe rritje të konsiderueshme të kreditimit dhe depozitave në krahasim me vitet paraprake. Në këtë kontest, vlerësohet miratimi i Rregullores për Menaxhimin e Rrezikut të Likuiditetit dhe sugjerohet puna e vazhdueshme për zbatimin e Direktivës dhe Rregullores për Kërkesat Kapitale”, thuhet në komunikatë.

Në njoftimin e BQK-së thuhet se raporti në veçanti vlerëson progresin e konsiderueshëm në krijimin e një strukture adekuate të qeverisjes së BQK-së pas emërimit të Guvernatorit të ri dhe kompletimit të Bordit Ekzekutiv.

“Për më tepër, sipas Raportit, Plani i ri Strategjik pesëvjeçar i BQK-së, i lansuar në fund të vitit 2023, pritet të forcojë efikasitetin e saj operacional. BQK mbetet e përkushtuar në zhvillimin e kornizës ligjore dhe infrastrukturës financiare të nevojshme për të mbështetur rritjen ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë, në pajtim me mandatin e saj”, përfundon njoftimi.

Exit mobile version