Në vitin 2022, Kombet e Bashkuara shënuan një rritje prej 53 për qind të vdekjeve të civilëve në krahasim me vitin e kaluar, me afro 17,000 vdekje civile të regjistruara në 12 konflikte.
Duke përmendur vdekjet e civilëve në Ukrainë dhe Sudan, shkollat e shkatërruara në Etiopi dhe dëmtimin e infrastrukturës ujore në Siri, Guterres paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të OKB-së se “bota po dështon të përmbushë angazhimet e saj për të mbrojtur civilët; angazhimet e mishëruara në të drejtën ndërkombëtare humanitare”.
Guterres, i ulur pranë ambasadorit rus Vasily Nebenzya, tha se kërkimet e OKB-së për trajtimin e civilëve të zonave të luftës treguan se 94 për qind e viktimave të “armëve shpërthyese” në zonat e populluara ishin civilë vitin e kaluar, ndërsa më shumë se 117 milionë njerëz u përballën me urinë akute kryesisht për shkak të të luftës dhe të pasigurisë.
Vetëm në Ukrainë, e cila po lufton me pushtimin e Rusisë për më shumë se një vit, OKB-ja regjistroi gati 8,000 vdekje civile dhe mbi 12,500 të plagosur, megjithëse shtoi se shifrat aktuale janë më të larta.
Në mbarë botën, numri i refugjatëve të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre “për shkak të konfliktit, dhunës, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe persekutimit” ka arritur në 100 milionë, shtoi shefi i OKB-së./UBTNews/