Fitimi i postit të presidentit të SHBA nga ana e Donald Trump nuk ka shkaktuar vetëm reagime të politikës në mbarë botën, por edhe të sportit, ku një pjesë e personazheve kanë shprehur hapur mbështetjen ndaj tij.
Krahas imazhit si president që pritet të ndikojë në çështje të rëndësishme në politikë, Trump cilësohet dhe si emri që do të kthejë stabilitetin në sport, e janë të shumta disiplinat në të cilat pritet që ai të vërë dorë.
Një prej tyre është golfi, për të cilën vetë Trump, ende pa u zgjedhur president i SHBA, pohoi se do t’i jepte zgjidhje brenda 15 minutave përplasjes mes Shoqatës së Golfit Profesionist dhe ligës private të Arabisë Saudite, e cila dita ditës rrëmben golfistët më të mirë në botë.
“Trump ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Arabinë Saudite. Ai ka një marrëdhënie të shkëlqyer me golfin. Ai është një dashamirës i golfit,” pohoi Rroi Mekëllroi, numri 3 i golfit në botë.
Krahas tij, mbështetje ndaj Trump shprehu dhe kreu i UFC-së, i njohur ndryshe si kompeticioni më madhor i arteve marciale, Dana White.
“Askush nuk e meriton këtë më shumë se ai dhe askush nuk e meriton këtë më shumë se familja e tij. Kjo është ajo që ndodh kur makina vjen pas jush. Ai vazhdon të ecë përpara, nuk tërhiqet. Ai është njeriu më rezistent që kam takuar gjatë gjithë jetës sime. Familja e tij janë njerëz të jashtëzakonshëm. Kjo është karma zonja dhe zotërinj. E meritojnë si familje,” u shpreh 55-vjeçari.
Jake Paul, së fundmi një boksier, më herët youtuber dhe personazh i rrjeteve sociale, e cilësoi fitoren e Trump si fitore të së vërtetës dhe Zotit në Amerikë.