Sefik Dzaferovic i bën thirrje kryeministrit izraelit t’i japë fund “sulmeve joproporcionale” në Gaza.
Një anëtar boshnjak i Këshillit Presidencial të Bosnjës dhe Hercegovinës, të dielën reagoi ndaj postimit në Twitter të kyeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili kishte falënderuar kombet për mbështetjen e Izraelit kundër Palestinës. Sefik Dzaverovic ka thënë se vendi i tij nuk mbështet vrasjet e civilëve të pafajshëm.
“Mesazhi im drejtuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu është që Bosnja dhe Hercegovina nuk mbështet dhe nuk mund të mbështesë vrasjet e civilëve të pafajshëm në Gaza nga forcat ushtarake izraelite”, shkroi Sefik Dzaferovic në Facebook.
Ai i bëri thirrje Netanyahut që t’i japë fund “sulmeve joproporcionale” në Gaza dhe të japë kontributin e tij për të vendosur paqe për popullin palestinez dhe izraelit.
Më parë gjatë ditës, Netanyahu falënderoi dhe përmendi 25 vende që aktualisht po mbështesin Izraelin në përshkallëzimin e vazhdueshëm. Flamuri i Bosnjës ishte përfshirë gjithashtu në postim.
🇺🇸🇦🇱🇦🇺🇦🇹🇧🇦🇧🇷🇧🇬🇨🇦🇨🇴🇨🇾🇨🇿🇬🇪🇩🇪🇬🇹🇭🇳🇭🇺🇮🇹🇱🇹🇲🇩🇳🇱🇲🇰🇵🇾🇸🇮🇺🇦🇺🇾
— Benjamin Netanyahu (@netanyahu) May 15, 2021
Thank you for resolutely standing with 🇮🇱 and supporting our right to self defense against terrorist attacks.
Bisera Turkoviç, ministrja e jashtme e vendit, gjithashtu hodhi poshtë deklaratën e kryeministrit izraelit.
“Bosnja dhe Hercegovina mbështet një zgjidhje të drejtë midis Palestinës dhe Izraelit, asnjë sulm nuk do të çojë në paqe dhe stabilitet. Ne bëjmë thirrje për ndalje të menjëhershme të sulmeve … vetëm negociatat mund të sjellin paqe të qëndrueshme. Ne gjithashtu mbështesim iniciativa që do të ndihmonin në ndalimin e valës së dhunës”, deklaroi ajo në një postim.
Të paktën 192 palestinezë, përfshirë 34 gra dhe 58 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga 10 maji.
Tensionet që filluan në muajin e Ramazanit në Jeruzalemin Lindor u përhapën në Gaza pasi grupet palestineze të rezistencës u zotuan të hakmerren ndaj sulmeve izraelite në Xhaminë Al-Aksa dhe lagjen Sheikh Jarrah. Izraeli pushtoi Jeruzalemin Lindor, ku ndodhet Al-Aqsa, gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967. Ai aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980 në një lëvizje që komuniteti ndërkombëtar nuk e ka njohur kurrë./UBTNews
(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim në UBT)