Të gjitha planet e presidentit rus, Vladimir Putin kanë dështuar dhe tani ai duhet ta ndalojë menjëherë këtë luftë të çmendur, deklaroi shefi i diplomacisë i BE-së, Josep Borrell.
”Ne jemi më të bashkuar se kurrë. Unë kurrë nuk i kam parë shtetet anëtare të jenë kaq të bashkuara dhe së bashku me partnerët tanë transatlantikë. Putin besonte se do të pushtonte Ukrainën, por ai dështoi. Besoi se do të na përçante, por dështoi. Ai besonte se do të dobësonte marrëdhëniet transatlantike, por dështoi. Tani, ai duhet ta ndalojë luftën”, theksoi ai.
Ai vuri në dukje se Rusia po zhvillonte një luftë agresive kundër Ukrainës pa asnjë lloj arsyeje.
”Të gjithë mund të shohin në ekranet e tyre televizive se çfarë po ndodh. Rusët po bombardojnë pa dallim qytetet e Ukrainës, qindra viktima civile. Dy milionë refugjatë. A është faji ynë, dy milionë refugjatë? Jo! Rusia po e bën luftën ashtu siç e bën ajo, siç e bëri në Siri, si në Çeçeni duke bombarduar dhe shkatërruar një vend tjetër”, shtoi Borrell.
Borrell iu përgjigj gjithashtu pyetjeve të gazetarëve nëse BE do të ndihej më e sigurt pa gazin rus.
”Ne do të jemi shumë më të sigurt. Duhet të shpenzojmë më pak gaz, të përdorim më pak gaz dhe këtë e kërkon edhe klima. Gjeopolitika dhe klima po ecin së bashku”, theksoi ai.