Kreu i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se po monitorojnë nga afër nëse Serbia po i përmbush kërkesat e BE-së për shtensionim në veri të Kosovës dhe nëse gjykojnë se Beogradi nuk i respekton ato, sipas tij, BE-ja është e gatshme të shqyrtojë masa ndëshkuese ndaj autoriteteve të Serbisë.
“Janë marrë masa në lidhje me Kosovën. Këto janë masa politike dhe financiare, ndër të cilat është pezullimi i vizitave dhe ngjarjeve të nivelit të lartë, me përjashtim të dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Ato masa kanë ndikim edhe në mbështetjen financiare për Kosovën. Pezullimi është i përkohshëm dhe i kthyeshëm dhe do të hiqet sapo të ketë shtensionim në terren. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke monitoruar nga afër nëse Serbia i përmbush kërkesat e BE-së dhe në rast të mospërmbushjes, BE-ja është e gatshme të marrë parasysh masat”, ka thënë Borrell.
Nga përleshja mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur të dielën në Banjskë të Zveçanit, mbetën të vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues. Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan në mungesë provash.