UBT News

Borrell: Ndihma e BE-së ndaj UNRWA-s nuk është pezulluar

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell ka njoftuar se ndihma e BE-së ndaj agjencisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për refugjatët palestinezë nuk është pezulluar.

“Angazhimet e vazhdueshme të financimit nga BE janë zbatuar dhe financimi nuk është pezulluar”, thuhet në një deklaratë nga zyra e Josep Borrellit.

“Roli i UNRWA është jetik në rrethanat aktuale në Gaza”, thuhet në deklaratë.

“2 milionë njerëz kanë nevojë të menjëhershme për ndihmën e ofruar nga UNRWA dhe agjenci të tjera të OKB-së”.

Borrell mirëpriti “masat e shpejta dhe vendimtare që u morën nga UNRWA” në dritën e “akuzave shumë serioze kundër një numri anëtarësh të stafit të UNRWA” dhe tha se “BE do të përcaktojë vendimet e ardhshme të financimit në dritën e rezultatit të hetimit”.

BE-ja është një nga donatorët më të mëdhenj të UNRWA-s, duke siguruar rreth një të dhjetën e financimit të agjencisë së OKB-së për shifrat e vitit 2022./UBTNews/

Exit mobile version