UBT News

Borrell kritikohet për njëanshmëri dhe qasje tendencioze ndaj Kosovës

Pa ndonjë marrëveshje dolën pala kosovare dhe ajo serbe nga takimi i së hënës në Bruksel, i ndërmjetësuar nga shefi politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ky i fundit, përgjegjësinë e ka drejtuar në veçanti te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se i njëjti nuk e ka pranuar propozimin e BE-së që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave për ngasësit e veturave me targa ilegale.

Qasja e kryediplomatit të BE-së po kritikohet në Kosovë duke e quajtur atë të njëanshëm dhe tendencioz ndaj Kosovës.

Për këtë ka shkruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke theksuar se rregulli i parë i çdo procesi ndërmjetësues është paanshmëria, çka sipas saj ka munguar të Josep Borrell të hënën.

“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, ka shkruar Osmani, e cila ka listuar një sërë marrëveshjesh të cilat Serbia nuk i ka zbatuar.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni thotë se është Serbia ajo që duhet akuzuar për papërgjegjësi, e jo Kosova e cila sipas saj ka qenë e gatshme të heqë dorë prej vendosjes së gjobave për qytetarët serbë që ngasin veturat me targa ilegale.

“E kemi parë që ka pasur refuzime të vazhdueshme prej anës së Serbisë për të akorduar për cilëndo lloj marrëveshje që dje ka qenë e mundshme që të diskutohen ndërmjet palëve. Prandaj këtu nuk shoh papërgjegjësi të palës kosovare dhe nuk shoh jo seriozitet prej anës së palës kosovare, përkundrazi mendoj që nëse dikush duhet të akuzohet për papërgjegjshmëri ndër vite është pikërisht pala serbe, është Serbia, është presidenti i tyre Aleksandër Vuçiq i cili refuzon të dialogojë dhe të shtyjë përpara çfarëdo lloj çështje dhe madje tash së fundi po e shohim që ata po e refuzojnë edhe planin e Bashkimit Evropian që është propozuar për t’i normalizuar marrëdhëniet apo raportet në mes të dyja shteteve që është përkrahur prej Francës, Gjermanisë, dhe shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha deputetja e LVV.

Ndërsa sipas njohësit të çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi, Bashkimi Evropian po tregohet tendencioz me Kosovën.

Ai thotë se zgjidhjet që u ofruan nga shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell, vetëm sa i ngritin tensionet.

“Po shihet që Bashkimi Evropian po është shumë tendencioz në raport me neve, deklarata e Borrellit edhe oferta e BE-së është mjaftë tendencioze… Realisht këto janë shumë tendencioze dhe kjo e fundit është e tejkaluar në kuptimin e zgjedhjes së situatës së kësaj marrëveshje… Dhe për këtë arsye mendoj se gjithë kjo, vetëm po kërkohet prolongim pa mundësi zgjidhje. Zgjidhjet çfarë u ofruan nga zotëri Borrell jo që janë zgjidhje, por janë ngritje të tensionit mëtejme”, thotë Ibishi.

Pas takimit në Bruksel, kryeministri Kurti ka deklaruar se propozimi i Bashkimit Evropian që Kosova të mos fillojë shqiptimin e gjobave është i papranueshëm nëse nuk shoqërohet me dakordim që me urgjencë të angazhohen për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve.

Disa orë më vonë, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për targat, i cili parasheh gjobë prej 150 euro për ngasësit që nuk i kanë konvertuar ato në tabela të Republikës së Kosovës.

Këtë vendim, shefi i ekzekutivit e ka marrë pas kërkesës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier sipas së cilit një shtyrje e tillë është për t’i lejuar zyrtarët evropian dhe amerikan të angazhohen me palët për gjetjen e zgjidhjes për këtë çështje.

Exit mobile version