Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se kanë bërë një propozim për të zgjidhur situatën në veri, të krijuar pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës.
Borrell para takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së tha se propozimi i Bashkimit Evropian duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë.
“Kosova dhe Serbia më kanë mbajtur të zënë. Këtë fundjavë në Paris takova kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq. Jemi të pakënaqur në prag të një krize tjetër. Duhet të dalim nga pikëpamjet e krizës dhe të kërkojmë një qasje drejt zgjidhjes. Ne kemi paraqitur një propozim, propozim që duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë. Më është dashur t’iu bëj thirrje të dyja palëve që të përmbushin zotimet e tyre dhe të respektojnë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve së kaluara për të cilën janë rënë dakord shumë vite më parë dhe unë jam duke kërkuar për një zgjidhje”, tha ai.
Punimet e Këshillit të Ministrave do të jenë të shtrira në dy ditë, më 14 dhe 15 nëntor, ndërsa do të diskutohen edhe tema të tjera. Takimi fillon në ora 10:00 dhe mbahet në Bruksel.
Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur se nuk do të pranojë asociacion njëetnik në Kosovë, ndërsa tha se zhvillimet e fundit nuk duhet të largojnë vëmendjen nga marrëveshja finale me njohje reciproke. Ai nuk ka dhënë shenja se mund të tërhiqet edhe nga vendimi për targat, shtyrja e zbatimit të të cilit i është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Situata në veri mori një tjetër drejtim pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS të Republikës së Kosovës.