BE-ja mbrojti të mërkurën një udhëtim të kryediplomatit të saj në Marok, vend ky i cili së bashku me Katarin, ka qenë i lidhur me një skandal korrupsioni në Parlamentin Evropian.
Duke qenë se “nuk ka prova” të keqbërjes në këtë fazë, është e drejtë që udhëtimi i shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të enjten dhe të premten duhet të vazhdojë, tha një zëdhënës.
“Askush nuk ka thënë zyrtarisht nga pikëpamja gjyqësore se Maroku si vend është fajtor dhe Maroku duhet të shmanget në kontaktet ndërkombëtare”, tha zëdhënësi, Peter Stano.
Skandali shpërtheu muajin e kaluar kur policia belge bastisi disa adresa të përdorura nga disa ligjvënës dhe ndihmës në Parlamentin Evropian, lobistë dhe drejtues të OJQ-ve.
Nga bastisjet dolën 1.5 milionë euro para të gatshme, të dyshuara që u dhanë shpërblim si pjesë e përpjekjeve për të ndikuar në vendimet e Parlamentit Europian.
Katari ka mohuar çdo keqbërje në këtë rast, ndonëse ende nuk është duke u hetuar nga autoritetet belge.
Katër të dyshuar janë në paraburgim, mes tyre edhe eurodeputetja greke, Eva Kaili. Ajo nuk ishte në gjendje të ushtronte imunitetin e saj parlamentar sepse një gjykatës përcaktoi se ajo ishte kapur në flagrancë.
Kaili, së cilës iu hoq pozicioni i saj si një nga 14 nënkryetaret e parlamentit pas arrestimit, këmbëngul se është e pafajshme.
Përmes avokatit të saj ajo ka shprehur injorancë rreth 150 mijë eurove cash të gjetura në rezidencën e saj në Belgjikë.
I dashuri i saj italian, Francesco Giorgi, një ndihmës parlamentar, thuhet se ka bërë një rrëfim para prokurorëve belgë, i cili gjithashtu pretendon përfshirjen marokene.
Eurodeputetët kanë ngritur shqetësime për përfshirjen e mundshme të Marokut pas zhvillimeve në rastin e paraqitur në gazetat belge.
Stano tha se çështja “është në duart e gjyqësorit në Belgjikë” dhe “ne kemi besim të plotë” në punën e tyre për të hetuar akuzat.
Ndërkohë, “Maroku është një vend partner shumë i rëndësishëm” për Bashkimin Evropian, i cili dëshiron të avancojë një partneritet me të, shtoi ai.
Borrell do të “ngrejë gjithashtu çështje shqetësuese nga ana jonë” gjatë vizitës së tij, shtoi Stano.
Katër të dyshuarit në paraburgimin belg janë: Kaili, Giorgi; një ish-deputet italian, Pier Antonio Panzeri; dhe Niccolo Figa-Talamanca, kreu italian i një OJQ-je që dyshohet se ka bërë pagesa për eurodeputetët.
Ata të katërt akuzohen për “organizim kriminal, korrupsion dhe pastrim parash”./UBTNews/