Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se gjatë takimit të shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dy zyrtarët janë pajtuar që duhet të ndërmerren hapa që të ulen tensionet në veri të Kosovës dhe që sa më parë të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky njoftim vjen pasi në veri të Kosovës, së fundmi ka pasur rritje të tensioneve. Fillimisht, vendimi për vendosjen e masës së reciprocitetit të targave nga Serbia, nxiti banorët lokalë në veri të Kosovës të bllokojnë rrugët. Po ashtu, me protesta dhe bllokada në dy komuna në veri të Kosovës u prit edhe një aksion i Policisë dhe Doganave të Kosovës kundër kontrabandës së mallrave, që u shtri edhe në komunat e banuara me serbë.
Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vlerësoi “mbështetjen e vazhdueshme” të Bashkimit Evropian për, siç tha, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Blinken po ashtu theksoi nevojën për të çuar përpara bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, u tha në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Gjatë qëndrimit të Borrellit në SHBA, ai ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas Stanos, këto bisedime kanë pasur për qëllim uljen e tensioneve dhe kthimin e palëve në tryezën e dialogut. Ai ka shtuar se këto biseda janë zhvilluar po ashtu që të mos përsëriten tensionet dhe trazirat që u panë më 13 tetor në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.
Stano u pyet për ndonjë datë të mundshme të vazhdimit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ai tha se “po punohet në këtë drejtim”, por BE-ja do të njoftojë për takime vetëm do të ketë datë dhe agjendë konkrete.
Në BE vazhdojnë të thonë se “nuk ka ndryshim në qëndrime dhe synime mes SHBA-së dhe BE-së sa i përket dialogut”.
Edhe në pyetjet për të komentuar dallimin në reagimet për ngjarjet në veri të Kosovës mes SHBA-së dhe BE-së, zëdhënësi i BE-së ka përsëritur se të dyja palët, si BE-ja ashtu edhe SHBA-ja, kanë të njëjtat qëllime. E ato qëllime, thonë në BE, janë që përmes dialogut të arrihet marrëveshja për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, përmes së cilës do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë./REL