Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, gjatë ditës së enjte ka thënë se çdo përpjekje për ta vënë në dyshim marrëveshjen e Ohrit është e kotë.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë rënë dakord dhe se marrëveshja duhet të zbatohet, shkruan Klan Kosova.
“Do të flas për takimin e Ohrit (në samitin e liderëve të BE-së) dhe marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe më lejoni të them se çdo përpjekje për të vënë në dyshim marrëveshjen është e kotë. Marrëveshja është rënë dakord, duhet të zbatohet dhe nuk ka vend për ta vënë në mëdyshje”, ka thënë Borrell në një deklaratë për media.
Tutje, ai theksoi se marrëveshja duhet të zbatohet nga të dyja palët në mënyrë tërësore.
“Është një tërësi, duhet të zbatohet nga të gjitha palët, në mënyrë tërësore dhe ne do të ndjekim me vëmendje kush zbaton e kush jo. Unë do t’i këshilloja që të mos shënjestrojnë askënd, por të bëjnë punën e tyre”.
Kujtojmë se më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë dakorduar për zbatimin e planit të Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse palët nuk i kanë vënë nënshkrimet në aneksin e marrëveshjes, ishte Borrell ai që bëri të ditur në një konference për media nga Ohri se ka marrëveshje.