Bashkimi Evropian po diskuton urgjentisht për sanksione të reja ndaj Moskës pasi u gjetën një numër i madh trupash të civilëve në rajonin e Kievit, tha të hënën shefi i marrëdhënieve të jashtme të bllokut.
BE-ja “dënon në termat më të ashpër mizoritë e kryera nga forcat e armatosura ruse në disa qytete të okupuara të Ukrainës, të cilat tani janë çliruar”, tha Josep Borrell në një deklaratë.
27 vendet anëtare po diskutojnë për një raund të ri sanksionesh ndaj Moskës, por ato duhet të miratohen unanimisht.
Sot gjatë ditës presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se sanksionet e reja mund të jenë ndaj “thëngjillit dhe naftës”.
Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz bëri thirrje për sanksione ndaj Moskës të dielën, pasi u gjetën trupat e civilëve të vrarë në Bucha afër Kievit, vrasje të cilat iu atribuan ushtrisë ruse, të cilat ai i përshkroi si “krime lufte”./UBTNews/