Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovë, Avdullah Hoti ka deklaruar se mosemërimi për gati një vit i një anëtari nga sindikatat në Bordin e Trustit Pensional është shkelje ligjore, që nuk duhet të kaloj pa dhënë përgjegjësi nga shkelësit e ligjit.
Ish-ministri Hoti ka shkruar në Facebook se të drejtat sindikale në Kosovë janë nëpërkëmbur nga Qeveria Kurti në vazhdimësi.
“Mos emërimi për gati një vit i anëtarit nga sindikatat në Bordin e Trustit Pensional është shkelje ligjore, që nuk duhet të kaloj pa dhënë përgjegjësi nga shkelësit e ligjit. Të drejtat sindikale në Kosovë janë nëpërkëmbur nga Qeveria Kurti në vazhdimësi. Reagimi i fundit i IKD-së është dëshmi shtesë për këtë. Një anëtar i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale, i cili përfaqëson punëtorët dhe vjen nga sindikatat, nuk u emërua asnjëherë. Fillimisht, Trusti u la pa bord për disa muaj, ku për pasojë miliarda euro mbetën pa menaxhim adekuat. Kur u emërua bordi para gati një viti, nuk u përfshi edhe anëtari nga sindikatat. Arsyet që u dhanë për këtë ishin se asnjëri nga aplikantët nuk i plotësonte kushtet ligjore. Nga ajo kohë nuk është rishpallur konkursi”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se: “Kjo neglizhencë nuk ka si të mos jetë e qëllimshme”.