Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në mbledhjen e radhës ka aprovuar listën e aseteve për t’u shpallur për shitje përmes Likuidimit ‘SHAL 63’ të përbërë nga 40 asete.
AKP njofton po ashtu se Bordi aprovoi planin e Veprimit për adresimin e rekomandimeve të ZKA për Pasqyrat Financiare të AKP-së dhe Fondeve në mirëbesim për vitin 2022.
“Gjithashtu u informua lidhur me raportin 6 mujor të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të cilin e aprovoi sipas procedurave si dhe u informua dhe shqyrtoi raportimin e Menaxhmenit të AKP-së lidhur me proceset dhe procedurat e periudhës paraprake mujore, si dhe raportin mujor për NSH Brezovica e cila është nën administrimin direkt”, thuhet në njoftim.
Në këtë mbledhje pas shqyrtimit dhe diskutimit të hollësishëm, Bordi i Drejtorëve miratoi raportin e dytë 3 mujor 2023 për Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
“Bordi po ashtu aprovoi disa plotësim ndryshime në rregulla të tenderit dhe procedura të shitjes”, thuhet po ashtu në komunikatë.
Për më tepër, me qëllim të ngritjes së inkasimit të hyrave nga qiraja Bordi lëshoi disa udhëzime për Menaxhmentin për masat që duhet të merren ndaj borxhlinjve në mënyrë që të krijohet një disiplinë në pagesën e qirave ndaj AKP-së.
Siç njofton AKP, Bordi aprovoi edhe shpërndarjen e përkohshme të pjesshme për kreditorët e PEJ029 NSh “Ereniku – Prodhimtaria Primare”- Gjakovë.
Bordi po ashtu u njoftua me Raportin Përfundimtar të mbylljes së Procesit të Likuidimit së NSH KB Fryti –Babush i Muhaxherëve-Lipjan i cili do të dërgohet në Dhomë të Posaçme të Gjykatës Supreme për mbyllje të ndërmarrjes.
“Në vijim u aprovua Raporti i Komisionit për përcaktimin e statusit për ndërmarrjen SDR 1536, PRN208 Stacioni i Veterinës në Prishtinë me anë të cilit u konstatua se këto asete bien në pronësi shoqërore. Bordi po ashtu miratoi një raport fillestar për inicim të procedurës për shitje me negocim direkt i cili do t’i nënshtrohet procedurave të tjera të parapara me legjislacion për t’u finalizuar shitja sipas raportit përfundimtar i cili do t’i paraqitet Bordit për aprovim”, thuhet në raport.