Në mbledhjen e datës 27 korrik 2022, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka shqyrtuar raportin final të Zyrës Kombëtare të Auditimit për ShSKUK, si dhe pika të tjera të përcaktuara më parë me rendin e ditës.
Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për medie të lëshuar pas takimit.
Zëdhënësi për medie i ShSKUK-së ka thënë se nuk janë të vërteta raportimet e disa medieve se në mbledhjen e së mërkurës Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës ka shkarkuar drejtorin e Përgjithshëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.
Së paku dy medie kanë raportuar se në vend të Krasniqit është emëruar ushtruese e detyrës, gjinekologja e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Pranvera Zejnullahu-Rraci.
Sipas burimeve ky vendim ishte marrë pasi që bordi ka shqyrtuar gjetjet e raportit të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, institucion ky që ka evidentuar 14 gjetje të reja ku disa nga këto për të cilat ka vlerësuar se ka elemente të mashtrimit dhe korrupsionit i ka dërguar në Prokurorinë e Shtetit.
Por në komunikatën për medie thuhet se “shqyrtimi përmbajtjes së raportit të auditimit do të vazhdojë në mbledhjen e radhës të Bordi Drejtues”.