Këngëtarja e njohur Bonnie Tyler është dërguar me urgjencë në spital për një operacion në zorrë. Artistja 74-vjeçare po trajtohet në Faro të Portugalisë, ku ajo ka një shtëpi.
Sipas zëdhënësit të saj, operacioni ka kaluar me sukses dhe ajo tani po rikuperohet, ndërsa familjarët, miqtë dhe fansat po i urojnë shërim të shpejtë.
Bonnie Tyler, emri i vërtetë i së cilës është Gaynor Hopkins, u bë e famshme në gjithë botën me hitin “Total Eclipse of the Heart” në vitin 1983. Kënga së fundmi kaloi shifrën e një miliard dëgjimeve në Spotify.
Ajo ka pasur edhe hite të tjera të njohura si “Holding Out for a Hero”, ndërsa në vitin 2013 përfaqësoi Mbretërinë e Bashkuar në Eurovision.
Tyler pritet të vazhdojë koncertet e planifikuara këtë muaj në Maltë dhe Gjermani, si dhe turneun në vende të tjera evropiane.
