Detaje të reja për shpërthimin e bombolës së gazit brenda një shtëpie në Kçiq të Mitrovicës ka dhënë Policia e Kosovës në raportin ditor, ku për pasojë mbetën të lënduar 14 persona.
Bëhet e ditur se bombola e gazit ishte në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin anëtarët e një familjeje, përfshirë edhe ata nga diaspora.
“Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale”, thuhet në raport.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe zjarrfikësit bashkë me ekspertin e tyre.
Ndërkaq ky rast thuhet se është duke u hetuar nga njësitet kompetente.