UBT News

Bomba ajrore ruse godasin dy autobusë në Donetsk, 33 të vrarë dhe 18 të plagosur

Të paktën 33 persona janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur të enjten, pasi një sulm rus goditi dy autobusë publikë në qytetin e Kramatorskut, në rajonin e Donetskut në Ukrainë raportojn autoritetet ukrainase.

Sipas autoriteteve lokale, sulmi shkaktoi zjarr në të dy autobusët dhe në zonën përreth. Ekipet e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës kanë dalë në vendngjarje për të shpëtuar të mbijetuarit dhe për të shuar zjarrin.

Guvernatori i Donetskut, Vadym Filashkin, tha se sulmi ishte i qëllimshëm ndaj civilëve dhe se autobusët po transportonin pasagjerë në momentin e goditjes.

Pas sulmit, Filashkin urdhëroi pezullimin e transportit publik në Kramatorsk dhe Sloviansk, ndërsa u bëri thirrje banorëve që ndodhen ende në rajonin e Donetskut të evakuohen drejt zonave më të sigurta të Ukrainës.

Sulmi është cilësuar si më vdekjeprurësi nga një goditje e vetme në Ukrainë gjatë këtij viti. Një sulm masiv rus me raketa në Kiev, në korrik, kishte shkaktuar 33 viktima në të gjithë qytetin, por në disa goditje të koordinuara.

Kramatorsk dhe Sloviansk janë qytete të rëndësishme industriale pranë vijës së frontit dhe pjesë e të ashtuquajturit “brez i fortesës” të Ukrainës në rajonin e Donetskut, së bashku me Kostiantynivkën dhe Druzhkivkën.

Kramatorsku ka shërbyer për një kohë të gjatë si pikë strategjike prapa vijës së frontit për njësitë ukrainase. Megjithatë, për shkak të bombardimeve të shpeshta, qyteti nuk po përdoret më në të njëjtën mënyrë për pushimin dhe tërheqjen e përkohshme të trupave.

“Rusia po sjell vdekje në tokën ukrainase. Po godet qytetet tona, po vret njerëzit tanë dhe po i shton krimet e saj çdo ditë”, tha Filashkin, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave./A.K/

Exit mobile version