Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se iniciativa rajonale “Mini-Shengen” që nga sot do të quhet “Open Balkan” nuk është përjashtuese për asnjë nga vendet e rajonit, duke iu referuar edhe Kosovës që e refuzon kategorikisht përfshirjen.
“Jo vetëm unë, por të tre ne e kemi thënë, rithënë dhe stërthënë jo vetëm me gojë por edhe me deklaratat tona se kjo nismë nuk është ekskluzive por inkluzive, nuk është përjashtuese por gjithëpërfshirëse dhe mbi të gjitha është një nismë e hapur dhe e lirë për të gjitha vendet që të veprojnë sipas interesit dhe logjikës së tyre”.
Ai, në konferencën e përbashkët me Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia ka bërë një hap të madh duke pranuar që kjo nismë të shkojë përtej Procesit të Berlinit.
“E kam thënë në më shumë se një rast, meqë pyetja ishte e drejtpërdrejtë për Kosovën, që Serbia dhe presidenti i Serbisë kanë bërë një ‘ekstra milje’ duke pranuar që nisma të jetë jo vetëm gjithëpërfshirëse, por të shkojë përtej Procesit të Berlinit kur vjen fjala për lëvizjen e lirë të qytetarëve që do të thotë se në këtë aspekt nuk ka asnjë shoqëri në këtë territor që të jetë e diskriminuar. Nuk ka asnjë qytetar që të jetë i diskriminuar”.
“Përtej çështjes së hapur mes Serbisë dhe Kosovës kjo nismë i thotë popujve, individëve dhe bizneseve që ju jeni të barabartë përtej faktit që në nivelin shtetëror dhe institucional ka një çështje që është e hapur dhe në rrugën e trajtimit me dialogun e vështirë mes dy vendeve. Është oportunitet kolosal për shoqëritë tona”.
Kryeministri shqiptar tha se nga 1 janari i vitit 2021 do të ketë zero pritje në kufijtë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
“Më 1 janar të vitit 2023 do të kemi mes vendeve tona zero sekonda pritje në kufij. Të tjerët janë të mirëseardhur të vijnë dhe të na bashkangjiten. Nëse vijnë askush nuk i pengon. Boll me këtë ‘na ftuan, s’na ftuan’. Ishim në Tiranë të gjashtë vendet për të diskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë. Disa duan, disa nuk duan. Nuk ka problem”.
“Autostradat, hekurudhat, lëvizja e lirë e mallrave, mbase nuk janë e njëjta gjë me demokracinë, por demokraci dhe liri pa këto është shumë e vështirë të kesh dhe ta kesh të pakërcënuar. Unë bashkohem plotësisht me bindjen që politika më e mirë është bashkëpunimi, afrimi, ekonomia dhe rinia”.