Bolivia është vendi i parë i Amerikës Latine që ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Izraelin pas asaj që i përshkroi si veprime ushtarake “agresive dhe joproporcionale” në Gaza. Gjithashtu bëri thirrje për armëpushim dhe tha se do ta furnizojë Rripin e Gazës me ndihma humanitare.
Një zyrtar i Izraelit tha se ky hap është “dorëzim ndaj terrorizmit”. Lior Haiat e akuzoi qeverinë e Bolivisë se po “radhitet krah organizatës terroriste të Hamasit”.
Zëvendësministri i Jashtëm i Bolivisë, Fredi Mamani tha se qeveria ka marrë vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet “në shenjë mohimi dhe dënimi të ofensivës ushtarake agresive dhe disproporcionale izraelite që po ndodh në Rripin e Gazës”.
Ai shtoi se vendi dëshiron t’i japë fund bllokadës së Izraelit përmes së cilës parandalohet “hyrja e ushqimit, ujit dhe elementëve të tjerë thelbësore për jetën”./UBTNews/