Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore ka organizuar ngjarjen me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”, ku u tha se gratë në politikë më shumë vlerësohen për veshjen se sa për punën që bëjnë. Me këtë rast, deputete e ministre kanë diskutuar për paragjykimet dhe stigmatizimet që u bëhen grave në Kosovë.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se secila grua ka ndjerë në forma të ndryshme diskriminim.
“Gjatë karrierës kam vërejtur elemente ku të shohin si një grua apo një vajzë nuk përkon me kapacitet e tjerëve. Me rëndësi është të shohin së pari siç dukesh edhe në bazë të atij vlerësimi, vendosin pastaj edhe si të komunikojnë me ty […] Duhet të ndërrojmë mendësinë se si i rrisim vajzat, duhet të ndërrojmë mendësinë edhe si i rrisim djemtë. Që të dy palët të rriten në një shoqëri të barabartë. Gjithherë e vërej që problemi ekziston në mënyrën se si janë rritur, mendësinë që e kanë. Për arsyeje që djemtë zakonisht rriten duke iu shërbyer të gjithë atyre, ndërkaq vajzat rriten duke i mësuar për tu shërbyer të tjerëve”, ka deklaruar Bogujevci.
E zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla derisa ka folur për karrierën e saj politike, u shpreh se mbiemri që mban e ka detyruar që të përfshihet në këtë fushë duke mos u ndikuar nga paragjykimet.
“Menjëherë pas shkuarjes sime në Gjermani për studime në moshën 22-vjeçare, unë jam zgjedhur nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës atje. Dhe vazhdimisht e kam pyetur vetën në këtë moshë të re, a është më shumë emri apo është kontributi im personal ai i cili më vendos në atë pozicion. Sot që kam mbushur 50 vjet, jam e sigurt që asnjë mashkull nuk ia bën vetes këtë pyetje, por thotë ‘unë jam më i zoti, unë jam më i miri, unë e meritoj këtë pozicion’”, ka thënë ajo në këtë panel.
Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova tha se ende burrat janë paragjykues ndaj grave dhe me sy patriarkalë i shikojnë gratë e fuqishme.
“Komuna e Fushë Kosovës me 8 mars dhuron krem kundër rrudhave për gratë që punojnë në administratën e Fushë Kosovës, krem kundër rrudhave për gratë me e ly fytyrën që burrat mos me ua pa rrudhat. Katastrofë. Komuna e Prishtinës inauguron një skulpturë sot të punuar nga një artist burrë. Ajo skulpturë që sot inaugurohet është fytyra e një gruaje shumë e zymtë dhe me sy të mbyllur, është një skulpturë katastrofë. Se nëse ai ka menduar që Komuna e Prishtinës për 8 mars të bëjë një skulpturë, është dashur të bëhet një skulpturë të një grushti të gruas, ose të një fytyre të fuqishme të gruas e jo të zymta. Ja si na shohin burrat lider patriarkal aktual”, ka thënë ajo.
Sipas saj, për tu thyer këto paragjykime, solidariteti mes grave është shumë i nevojshëm.
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Të dy këta janë zotuar se objektiv i tyre strategjik është krijimi i kushteve të barabarta për gratë.