UBT News

BND prezanton një video-lojë për të afruar të rinjtë drejt punës si agjentë

Shërbimi informativ i Gjermanisë, BND, ka zgjedhur një mënyrë jo të zakonshme për të prezantuar punën e tij: një video-lojë kompjuterike. Në panairin e lojërave Gamescom që po mbahet në Këln, BND-ja prezantoi lojën “Legjendat e BND-së – Operacioni Kutia e Zezë”.

Vizitorët mund ta provojnë lojën në stendën e institucionit, ku marrin rolin e një spiuneje që ndërmerr një mision në një shtet fiktiv me emrin Betulani, i cili ka zhvilluar një program keqdashës. Qëllimi i misionit është mbledhja e të dhënave sekrete dhe parandalimi i një incidenti të mundshëm.

Lojtarët drejtojnë personazhin në një ambient ushtarak të mbrojtur mirë, ku shmangen dronë vëzhgimi dhe përballen me sfida që kërkojnë kujtesë dhe vëmendje. Për shembull, hapja e një dere kërkon të mbahet mend një kod – por ndryshe nga situatat reale, loja lejon përpjekje të shumta pa pasoja.

Gjatë lojës, personazhi mbështetet nga një haker dhe një specialist gjeoinformacioni. Sipas përfaqësueses së BND-së, Julia Liner, loja synon të japë një përjetim më afër realitetit të punës së shërbimit informativ jashtë vendit, dhe të thyejë disa mite rreth procesit të aplikimit.

Aktualisht, loja nuk është e disponueshme për publikun e gjerë, por BND-ja ka në plan ta publikojë në një platformë online në të ardhmen.

BND ka rreth 6,500 të punësuar, përfshirë mbi 4,000 në selinë e saj në Berlin. Institucioni thekson se është në kërkim aktiv të profesionistëve të rinj, veçanërisht në fusha si IT-ja dhe analiza e të dhënave.

Exit mobile version