UBT News

Bloomberg: SHBA i ofron Rusisë shkëmbim informacioni mbi praninë e raketave në Rumani e Poloni

Shtëpia e Bardhë ka informuar Kremlinin se është gati të diskutojë mënyrat në të cilat Rusia mund të kontrollojë se nuk ka raketa kryqëzuese sulmuese Tomahawk të stacionuara në bazat e NATO-s në Rumani dhe Poloni, nëse Moska do të ishte e gatshme të ndajë informacione të ngjashme me Uashingtonin për raketat në disa baza ruse, transmeton Reuters një shkrim të agjencisë Bloomberg.

Propozimi i SHBA-së synon të zbusë shqetësimet e Moskës se lëshuesit në baza mund të përdoren për të synuar Rusinë, shkruan Bloomberg, duke cituar burime të njohura me këtë çështje.

Një burim shtoi se çdo marrëveshje mund të arrihet vetëm pas bisedimeve të SHBA me aleatët, veçanërisht Poloninë dhe Rumaninë, dhe se ajo duhet të përfshijë një marrëveshje për kontrollin e bazave të shumta ruse ku ndodhen armët tokësore.

Propozimi pasqyron përpjekjet e SHBA-së për të arritur një marrëveshje me Rusinë në një përpjekje për të zbutur tensionet rreth Ukrainës, pasi Moska ka grumbulluar trupa në kufirin me Ukrainën, dhe SHBA dhe NATO paralajmërojnë se një pushtim mund të ndodhë së shpejti nëse nuk ka rezultat diplomatik.

Exit mobile version