Rruga Shkup-Han i Elezit është bllokuar për të gjitha automjetet, për shkak të zjarrit në afërsi të tunelit në Maqedoni të Veriut, njoftoi të mërkurën Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar.
“Ju informojmë se bazuar në informatën e pranuar nga pala e RMV, rruga Shkup Hani i Elezit është bllokuar për të gjitha automjetet për shkak të zjarrit në afërsi të tunelit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e 9 korrikut në Facebook.
Ndërkaq, rreth 300 raste zjarresh janë regjistruar në Kosovë vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Genc Metaj, tha se gjatë kësaj periudhe ekipet kanë ndërhyrë në 295 raste zjarresh nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.
Në konferencën e thirrur për media, Metaj tha se dita më e rënduar ka qenë 7 korriku, kur janë shënuar gjithsej 66 raste të zjarreve, prej të cilave 57 kanë ndodhur pasdite.