UBT News

​“Bllokadat janë inekzistente”, Kurti thotë se shumë shpejt do ta takojë presidenten Osmani

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se shumë shpejt do ta takojë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani ka deklaruar se do të kandidojë edhe për një mandat si presidente e vendit, e për këtë Kurti tha se së pari do të presin konstituimin e Kuvendit dhe më pas do të ecin tutje.

Ne së pari do të presim që të certifikohen rezultatet duhet te konstituohet Kuvendi të shohim përbërjen e legjislaturës së re dhe me pastaj të ecim tutje. Por, ashtu siç kam thënë sot është dita e fundit e vitit 2025, shpejt do ta takoj presidenten Osmani dhe duhet të bisedojmë bashkë për rrugën përpara. Keni parasysh njëherë është konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë dhe vetëm më pas është zgjedhja e presidentes”, tha ai me rastin e vizitës në Telekomin e Kosovës.

I pyetur për mundësi bashkëpunimi me ndonjë parti politike, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje tha se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit është i qartë, dhe se tashmë pengesat për formimin e Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë janë inekzistente.

Nuk kam ndonjë gjë të re për të thënë rezultati është më i qartë se asnjëherë më parë. Ne kemi pritur se do ta tejkalojmë rezultatin e 9 shkurtit por duket se po e tejkalojmë edhe rezultatin e 14 shkurtit 2021. Bllokimi në formimin e Kuvendit dhe pengesat për formim të qeverisë së re tashmë janë inekzistente”, deklaroi Kurti.

Më 28 dhjetor në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku e para u rendit Lëvizja Vetëvendosje me 48.41%.

Exit mobile version