UBT News

Bllokada në Kuvend, Haziri: Arritja e një marrëveshje politike është përtej urgjencës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se nuk do të tërhiqen nga pozicioni i tyre në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht se në 24 tentime nuk po mundet të konstituohet legjislatura e nëntë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Haziri adresoi gishtin nga lideri i LVV-së, Albin Kurti duke thënë se është fajtori kryesor për bllokadën në Kuvend, pasi sipas tij, i njëjti nuk po punon drejt kompromisit dhe arritjes së një marrëveshje politike.

Ai tha se arritja e një marrëveshje politike është përtej urgjencës.

Për mua dhe për LDK-në nuk ka të bëjë emri i përveçëm por parimi në mënyrë që konstituimi të finalizohet sa më shpejt. Një marrëveshje politike është përtej urgjencës pasi Kosova përfundimisht është në krizë politike e cila në mungesë të funksionimit të Kuvendit edhe ekzekutivit e pamundëson me ecë. Mirëmbajtja, kujdestaria në qeveri edhe ashtu me probleme pasi edhe deputetë dhe ministër nuk është e drejtë dhe legjitime, e bën këtë vend me pauzu”, tha ai.

Duke folur për deklaratat e Kurtit se partitë në Kuvend nuk po e votojnë Haxhiun për shkak se është grua, ai tha se një gjë e tillë nuk qëndron pasi LDK-ja në dy raste ka votuar dy gra për presidente, ish-presidenten Atifete Jahjaga dhe presidenten aktuale, Vjosa Osmani-Sadriu.

LDK-ja i ka votuar dy gra presidente, por sipas një marrëveshjeje politike. Në dy raste nuk është i mbajtur fjala LDK-së por ne kemi votuar. Në rastin e parë te zonja Jahjaga dhe Osmani kemi dhënë kontributin tonë. Nuk e di se ku mundet me gjet, kemi dhënë emra si Nekibe Kelmendi apo Edita Tahiri që kanë qenë zonja lidere. Me ardhë në këtë kohë me thënë që partitë politike në Kuvend kanë probleme me përfaqësimin e një grua është keq dhe rëndë, madje shumë larg ka shkuar me këtë punë”, tha ai.

Këto komente Haziri i bëri në Kuvendin e Kosovës, në pritje të fillimit të vazhdimit të seancës konstituive për herë të 25-të./KosovaPress/

Exit mobile version