Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken thekson nevojën që Gjermania të mbyllë gazsjellësin e ri Nord Stream 2, nëse Moska sulmon Kievin.
“Nga këndvështrimi ynë, është shumë e vështirë të shihet rrjedha e gazit përmes atij tubacioni, për ta parë atë të bëhet funksional, nëse Rusia rinovon agresionin e saj ndaj Ukrainës”, tha ai, së bashku me ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, në një vizitë në Uashington.
Blinken theksoi gjithashtu se “disa mund ta shohin Nord Stream 2 si levë që Rusia mund ta përdorë kundër Evropës, por në fakt, është një levë që Evropa duhet ta përdorë kundër Rusisë”, transmeton a2news.al.
Në takimin me ministren e Jashtme gjermane, sekretari amerikan njoftoi se u diskutua edhe për Kinën, për të cilën të dy vendet bien dakord për rëndësinë e koordinimit transatlantik.
“Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara bien dakord për rëndësinë e koordinimit transatlantik për Kinën, sepse ai paraqet një sfidë të rëndësishme për vlerat tona të përbashkëta; ndaj ligjeve, rregullave dhe marrëveshjeve që nxisin stabilitetin, prosperitetin dhe lirinë në mbarë botën”.