Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Turqisë që të miratojë pranimin e Suedisë në NATO. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se “ka ardhur koha” që vendi i Evropës veriore t’i bashkohet aleancës.
Në takim me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson të martën, diplomati i lartë amerikan tha se Suedia është kualifikuar për t’u bashkuar me NATO-n “që nga dita e parë” dhe ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të adresuar shqetësimet “legjitime” të sigurisë së Turqisë.
“Nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara, tani është koha për të finalizuar pranimin e Suedisë”, u tha Blinken gazetarëve në qytetin verior suedez të Lulea.
Suedia dhe Finlanda fqinje filluan të kërkojnë anëtarësimin në NATO vitin e kaluar pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia./UBTNews/