Irani ka bërë “një hap prapa” me përgjigjen e tij të fundit ndaj një propozimi të marrëveshjes bërthamore, tha të hënën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, duke e quajtur “të pamundur” një marrëveshje afatshkurtër.
“Ajo që kemi parë gjatë javës së fundit apo më shumë në përgjigjen e Iranit ndaj propozimit të paraqitur nga Bashkimi Evropian është qartë një hap prapa dhe i bën perspektivat për një marrëveshje në një afat të shkurtër, do të thosha, të pamundura” tha Blinken për gazetarët duke folur nga Mexico City, ku u takua me presidentin meksikan Andrés Manuel López Obrador.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer përgjigjet përmes Bashkimit Evropian ndaj një propozimi të paraqitur nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell. Irani paraqiti përgjigjen e tij fillestare në mes të gushtit; SHBA iu përgjigj asaj rreth një javë më vonë.
Në fillim të këtij muaji, Irani dërgoi përgjigjen e tij të fundit, të cilën një zëdhënës i Departamentit të Shtetit e quajti “jo konstruktive”.
Blinken tha të hënën se nuk mund të ofrojë një kornizë kohore kur mendon se do të jetë e mundur të rihyhet në një marrëveshje bërthamore me Iranin, duke thënë se Irani ose “nuk dëshiron ose nuk është në gjendje të bëjë atë që është e nevojshme për të arritur një marrëveshje”.
“Ata vazhdojnë të përpiqen të fusin çështje të jashtme në negociata që e bëjnë një marrëveshje më pak të mundshme”, tha Blinken. “Por sigurisht ajo që kemi parë javën e fundit është një hap prapa nga gjasat e çdo lloj marrëveshjeje afatshkurtër”./UBTNews/