Shumë policë u panë të mërkurën përreth Pallatit të Drejtësisë në Paris për të ofruar siguri gjatë gjykimit të 20 burrave të dyshuar për përfshirje në sulmet terroriste të vitit 2015.
Rreth 130 persona ishin vrarë dhe qindra të tjerë ishin plagosur, kur persona të armatosur me jelekë vetëvrasës sulmuan gjashtë restorante, një sallë koncertesh dhe një stadium, duke e tmerruar kombin francez dhe jo vetëm.
“Kërcënimi nga terrorizmi në Francë është i lartë, sidomos në kohët si gjykimi i sulmeve. U bëra thirrje të gjithë prefektëve që të jenë syçelë”, tha ministri francez i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin.
Ai njoftoi që më shumë se 1.000 policë janë angazhuar për të ofruar siguri gjatë procesit të gjykimit.
Personat e autorizuar për të marrë pjesë në gjykim do t’i nënshtrohen një procesi të rreptë të kontrollimit para se të futen në sallën e improvizuar dhe në dhomat tjera, ku do të transmetohet seanca.
Procesi gjyqësor do të zgjasë nëntë muaj. Në të do të marrin pjesë mbi 300 avokatë dhe do të shqyrtohen rreth 1.800 padi civile. Ministri i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti, e cilësoi rastin si maratonë të pashembullt juridike. Vendimi për të akuzuarit pritet të merret në fund të majit të vitit 2022.
Nëse shpallen fajtorë, shumica e të akuzuarve mund të dënohen me burgim të përjetshëm.