Justin Baldoni mund të përballet me faturë të majme, pasi do t’i duhet të paguajë miliona dollarë bashkë-yllit të tij Blake Lively, pas rrëzimit të padisë që ai kishte ngritur kundër saj.
Padia me vlerë 400 milionë dollarë, që aktori kishte depozituar kundër Lively, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds dhe The New York Times, u hodh poshtë zyrtarisht të premten. Gjykatësi Lewis J. Liman kishte vendosur që në qershor se akuzat për shpifje nuk përmbushnin standardet ligjore të nevojshme.
Sipas padisë, Baldoni pretendonte se Lively dhe Reynolds kishin ndërmarrë veprime për të marrë kontrollin e filmit It Ends With Us, para se të organizonin “sulm të koordinuar” ndaj tij përmes një artikulli të gjatë në The New York Times.
Baldoni, i cili shërbeu si regjisor dhe themelues i kompanisë së prodhimit Wayfarer Studios, kishte afat deri më 17 tetor për të apeluar vendimin e gjykatës, por ai nuk e bëri këtë. Si pasojë, më 31 tetor gjykatësi nënshkroi një urdhër të ri që konfirmon përfundimin përfundimtar të çështjes.
Kjo nënkupton se paditë e Baldonit kundër Lively, Reynolds dhe The New York Times për shpifje dhe zhvatje janë mbyllur zyrtarisht.
Baldoni ngriti padinë në janar, një muaj pasi Blake paraqit padi ndaj Wayfarer Studios, duke e akuzuar për ngacmim seksual gjatë xhirimeve.
Ekipi ligjor i Lively e quajti padinë e Baldonit “të pavërtetë” dhe një “përpjekje hakmarrëse”. Ata paralajmëruan se do të kërkojnë kompensim për shpenzimet ligjore, dëmshpërblime të trefishta dhe dënime shtesë për abuzim me sistemin gjyqësor.
Në shtator, avokatët e Lively paraqitën kërkesë që Baldoni të detyrohet t’i paguajë disa milionë dollarë për të mbuluar shpenzimet ligjore, dhe dëmshpërblim për dëmet ekonomike, emocionale dhe psikologjike. Ata kërkojnë gjithashtu që gjykata të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së dënimeve ndëshkuese.
Në argumentet e saj, Lively mbështetet në një ligj të miratuar në Kaliforni në vitin 2023 — AB 933 — i cili mbron personat që denoncojnë publikisht ngacmim ose hakmarrje, duke i lejuar ata të ndajnë përvojat e tyre pa frikë nga padi për shpifje.
Gjykatësi Liman ende nuk ka vendosur nëse ky ligj zbatohet në rastin konkret, ndërsa pala e Baldonit pretendon se nuk është i aplikueshëm.
Blake Lively kërkon që gjykata të urdhërojë Baldonin të paguajë dëmshpërblimet e saj, pas së cilës pritet të zhvillohet një seancë për të përcaktuar shumën e saktë që ai do të duhet të paguajë. /A.Z/UBT News/
