Në Kosovë nuk ka shumë institucione që merren me trajtimin e përdoruesve të drogës, deklaroi Safet Blakaj, drejtori i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth”.
Sipas tij, përveç mungesës së institucioneve, lënë për të dëshiruar edhe llojet e shërbimeve që ofrohen po ashtu edhe kualiteti i shërbimeve për këta persona. Ai tha se ajo që mungon në vend janë programet parandaluese, ku sipas tij, do të duhej që të kishin përfshirë të rinjtë në shkolla dhe jashtë shkollave.
“Në Kosovë nuk ka shumë institucione që merren me trajtimin e përdoruesve të drogave, pra është Labyrinth që është qendër ditore, është Klinika e Psikiatrike ku është një repart i veçante për trajtimin e përdoruesve të drogave dhe janë spitalet regjionale që merren po ashtu në baza ditore”, deklaroi ai.
“Përveç numrit të vogël të institucioneve sigurisht duke futur këtë edhe Labyrinth lënë për të dëshiruar llojet e shërbimeve që ofrohen po edhe kualiteti i shërbimeve, si do që të jetë ka diçka trajtim nuk është se nuk ka”, deklaroi ai tutje.
“Në Kosovë ajo që mungon shumë janë programet parandaluese, të cilat do t’i kishin përfshirë të rinjtë në shkolla por edhe jashtë shkollave, një program, i cili do të ishte gjithëpërfshirës dhe që vazhdon me vite pa ndërprere. Pra duhet që sot të fillojnë me programet parandaluese të mirëfilltë në mënyre që pas tre deri pese vite te vërehet efekti”, tha ai.
Sipas të dhënave që posedon “Labyrinth”, në Kosovë janë rreth 40 mijë përdorues të drogës, ku prej tyre janë 2 mijë e 850 aktiv.