Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur hero të Kosovës ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair. Osmani tha se roli i Blairit ka qenë vendimtar për çlirimin e Kosovës 25 vjet më parë. Ajo nënvizoi se Britania e Madhe me në krye Blairin, bashkë me forcat aleate të NATO-s, e ka shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja e cila synohej nga regjimi gjenocidal i Milosheviqit.
Osmani në deklarimin për medie pas takimit me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, tha se Kosova sot është një nga trashëgimitë më të suksesshme dhe mësimet se mbrojtja e paqes, lirisë, dhe demokracisë janë shtyllat e civilizimi.
“Bota demokratike do të kujtohet për here kumbimin e fjalive, citoj ‘kjo është thjeshtë gjëja e duhur për t’u bërë’ , fjalë të thëna nga zotëri Blair 25 vjet më parë kur e ftonte botën demokratike t’i bashkëngjiteshin atij, për t’i ndaluar krimet e llahtarshme të regjimit të Millosheviçit në Kosovë. 25 vite më pas edhe çdo ditë nga ajo ditë, ne ju themi faleminderit, që përkundër sfidave ju orientuat kompasin e historisë në anën e vlerave që kanë përcaktuar kapitujt me të lavdishëm të historisë njerëzore…Në vitin 99-ta, roli juaj si kryeministër britanik gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte vendimtar, ndaj sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës dhe hero i lirisë dhe i demokracisë, edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe dhe të gjithë përkrahjen që ia keni dhënë Kosovës gjatë këtyre 25 viteve. Në prill të vitit 1999 e keni cilësuar intervenimin në Kosovë si një kauzë të drejtë e tillë ishte siç u dëshmua atëherë dhe siç dëshmohet edhe sot. Në pyetje ishte vet ekzistenca e një populli. Me forcat aleate të NATO-s ju na shpëtuat nga shfarosja që synohej nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit”, tha Osmani.
Në anën tjetër, ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair tha se intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë gjëja e duhur që është bërë. Ai tha se tani vendet demokratike duhet t’i rrinë në krah njerëzve të Kosovës në mënyrë qe e ardhmja e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran zë vendin në mekanizmat ndërkombëtar.
“Atëherë isha i bindur se (intervenim i NATO-s)ishte gjëja e duhur për ta bërë dhe vazhdoj të jem i bindur. Gjithashtu, tani jam i bindur se duhet t’u rrimë krah njerëzve të Kosovës në mënyrë që e ardhmja e Kosovës të jetë në linjë me meritat e njerëzve të saj. Këtu po ndodhin shumë gjëra pozitive që janë mësim për tërë botën jo vetëm për popullin e Kosovës. Pres me padurim që ta pres ditën kur Kosova si komb i pavarur dhe sovran zë vendin e duhur në familjen e kombeve…Dua edhe njëherë të shpreh falënderimin dhe solidaritetin me njerëzit e Kosovës që e kanë ndierë atë kohë, e ndjejnë tani dhe do ta ndjejnë edhe në të ardhmen”, është shprehur Blair.
Blair po qëndron në Kosovë në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Ai pati edhe një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe takoi kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.