UBT News

Black Ops 7 vjen në nëntor me gameplay të zgjeruar dhe personazhe legjendarë

Një nga seritë më të njohura në botën e video-lojërave, Call of Duty, po rikthehet me vazhdimin e radhës. Black Ops 7 u prezantua zyrtarisht gjatë panairit Gamescom dhe do të lançohet më 14 nëntor 2025.

Loja do të jetë e disponueshme për PlayStation 4 dhe 5, Xbox One, Xbox Series X/S dhe për PC nëpërmjet Battle.net dhe Steam. Për përdoruesit e Xbox Game Pass Ultimate, loja do të ofrohet që nga dita e parë e publikimit.

Ngjarja zhvillohet në vitin 2035, dhe kthen në skenë personazhe të njohur për fansat, si Raul Menéndez dhe David Mason. Tematika këtë herë pritet të jetë më e errët, duke eksploruar manipulimin përmes frikës. Sipas spekulimeve, ekziston mundësia që Menéndez të shfaqet si një inteligjencë artificiale.

Risi e rëndësishme është mundësia për të luajtur fushatën (campaign) në modalitet bashkëpunues deri në katër lojtarë, me misione që shtrihen globalisht – nga Japonia e Mesdheu, deri në skenarë abstraktë si brenda mendjes njerëzore.

Përveç kësaj, është prezantuar edhe një mod i ri me emrin “Endgame”, i cili përmban elemente roguelike. Progresi i lojtarëve do të mund të bartet midis të gjitha mënyrave të lojës: fushatës, multiplayer-it, zombive dhe Warzone.

Në fillim, loja do të përfshijë 16 harta për ndeshje 6v6 dhe dy harta të mëdha për përballje 20v20. Një tjetër risi është sistemi i ri i lëvizjes “Omnimovement”, që sjell më shumë fleksibilitet dhe lëvizje akrobatike në betejë.

Për adhuruesit e modalitetit zombie, Black Ops 7 premton hartën më të madhe ndonjëherë, rikthimin e mënyrës survival, si dhe Dead Ops Arcade 4.

Sa i përket çmimeve, versioni standard i lojës do të kushtojë 80 euro, ndërsa Vault Edition do të jetë në dispozicion për 110 euro. Beta e hapur është planifikuar për periudhën 2–8 tetor, me qasje të hershme për ata që bëjnë paraporositje ose janë abonentë të Game Pass.

Exit mobile version