Bjellorusia iu bashkua sot zyrtarisht Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), e cila u themelua nga Rusia dhe Kina për të trajtuar çështjet e sigurisë ndërkombëtare.
Presidenti rus Vladimir Putin, homologu i tij kinez Xi Jinping dhe udhëheqës të tjerë shtetërorë nënshkruan dokumentet për pranimin e Bjellorusisë në samitin e SCO-së në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.
Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev, i cili kryeson SCO-në këtë vit, uroi liderin bjellorus Alexander Lukashenko, i cili konsiderohet si diktatori i fundit i Evropës.
Putin zhvilloi bisedime me disa krerë shtetesh, përfshirë Xi, pas mbërritjes së tij dje në Astana. Sipas televizionit shtetëror kinez, Xi e siguroi edhe një herë Putinin në takimin e tyre dypalësh se do të vazhdojë të punojë drejt një zgjidhjeje paqësore të luftës në Ukrainë. Xi rikonfirmoi bashkëpunimin e Kinës me Rusinë, e cila pushtoi Ukrainën fqinje mbi dy vjet më parë, shkruan ATA.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i përshkroi bisedimet me Kinën si shumë të suksesshme.
“Të dyja palët ranë dakord se negociatat në konfliktin për Ukrainën nuk kishin kuptim pa Rusinë”, tha Peskov në televizionin shtetëror rus.
Rusia nuk u ftua në samitin e paqes të iniciuar nga Ukraina në Zvicër në mes të qershorit. Kina, e cila ka paraqitur planin e saj të paqes për t’i dhënë fund luftës, gjithashtu nuk mori pjesë në takim. Sipas Kremlinit, Putini diskutoi gjithashtu luftën e Ukrainës në Astana me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka vepruar vazhdimisht si ndërmjetës.
Erdogan ftoi sërish Putinin për të vizituar Turqinë. Turqia aktualisht nuk është anëtare e SCO-s./UBTNews/