Derisa përfaqësues të bizneseve kanë bllokuar hyrjet në kryeqytet në shenjë proteste për liberalizimin e tregut të energjisë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar Odën Ekonomike të vendit duke thënë se ajo “nuk ka bërë asgjë” për t’i përgatitur ato për këtë proces.
Mëngjesin e së enjtes, ata filluan t’i bllokojnë hyrjet në Prishtinë në Veternik, te rrethi i flamurit, te qendra Dukagjini në rrugën drejt Fushë-Kosovës, në rrugën drejt Mitrovicës, si dhe në rrugën nga Podujeva, në lagjen e Vranjevcit. Bllokimi do të zgjasë nga ora 10:00 deri në orën 12:00.
Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë do të hyjë në fuqi më 1 qershor. Vendimi nënkupton se të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara.
Ky vendim përfshin kompanitë me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro. Në Kosovë janë të regjistruara mbi 1.000 kompani të tilla që konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme të shpenzuar./REL/