UBT News

Bizneset e hotelerisë dhe turizmit kërkojnë 1 miliard euro nga shteti

Pa pasur mbështetje nga shteti me mbi 1 miliard euro për sektorin e hotelerisë dhe turizmit, rrezikohen të mbyllen mijëra biznese të këtij sektori për shkak të humbjeve të mëdha si pasojë e pandemisë Covid-19.

Kështu ka thënë Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) gjatë takimit me kryetarin e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti dhe anëtarin e saj, Pal Lekaj. Sogojeva tha se si pasojë e pandemisë rrezikohen 13 mijë biznese të këtij sektori.

Po ashtu ai theksoi se mundësia e vetme është hapja e këtyre sektorit dhe marrja e masave nga shteti ndaj atyre bizneseve të cilat nuk respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

“Shumica prej këtyre bizneseve janë para falimentimit. Kemi biznese të cilat e kanë kaluar 550 ditëshin që nuk kanë punuar asnjë ditë dhe kemi biznese që në një formë kanë punuar, por janë favorizuar. Prej 13 mijë bizneseve nëse vazhdohet kështu dhe nuk intervenohet me kohë dhe po e theksoi një shifër që pa këto nuk mund të mbijetoj. Pa intervenuar diku mbi 1 miliard euro në këto biznese nuk ka shanse me u rimëkëmb. Prandaj, është mirë që të gjenden forma këto të realizohen, sepse prej 12-13 mijë munden me mbijetuar 5 deri 6 mijë, e prej këtyre se do ta përfiton shteti tatim prej tyre. Pra, më mirë është më intervenuar me kohë se sa me ardhur deri te falimentimi”, tha ai.

Për këtë mbyllje, Sogojeva nuk ka përjashtuar mundësinë që të organizojnë edhe protesta nëse vazhdon kjo mbyllje e këtij sektori nga Qeveria.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala në kuadër të takimeve që ka zhvilluar me kryetarë të odave ekonomike, tha se sektori i hotelerisë dhe turizmit është goditur më së shumti në pandemi, prandaj ka thënë se është e nevojshme mbështetja e parlamentit dhe qeverisë për këtë sektor.

“Veçanërisht në rrethana pandemie ku sektori që ju përfaqësoni është goditur pothuajse më së shumti dhe të shohim çka mund të bëjmë bashkërisht në rrugëtimin tonë të përbashkët në interes të ekonomisë së vendit dhe në interes të hotelerisë dhe turizmit të Kosovës. Prandaj, të shohim çka mund të bëjmë në hartimin e përbashkët të planit të punës të Komisionit parlamentar”, theksoi Shala.

Anëtari i Komisioni, Pal Lekaj ka ngritur shqetësimin e tij se nëse nuk vaksinohet popullata deri në verë dhe nuk hapet sektori i turizmit dhe gastronomisë do të shtyjë diasporën që mos të vijë sivjet në Kosovë.

“Nëse diku 50 përqind e popullatës nuk vaksinohen deri në qershor, unë nuk di kush ia mësyn me ardh këtu. Mendoj se ne duhet të përgatitemi për diasporën dhe duhet mos ta izolojmë vendin”, theksoi ai.

Kryetari i OHTK, Sogojeva ka kërkuar në këtë takim të themelohet Agjencia Kombëtare e Turizmit, që sipas tij, do ta ndihmonte këtë sektor për zhvillim. Ndërsa veçoi se vetëm 10 mijë euro është buxheti i ndarë për turizëm nga shteti.

Exit mobile version