Çmimi i Bitcoin-it ka arritur një rekord të ri historik, duke tejkaluar për herë të parë nivelin e 109.000 dollarëve. Kriptomonedha më e madhe në botë ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë 24 orëve të fundit, duke u luhatur midis 99.400 dhe 109.110 dollarëve.
Për të kuptuar më mirë këtë rritje, vlen të theksohet se çmimi i Bitcoin-it ishte në rreth 70.000 dollarë para zgjedhjeve amerikane të nëntorit 2024. Që nga fitorja e Donald Trump në ato zgjedhje, çmimi ka pësuar një rritje prej rreth 55 për qind, duke reflektuar optimizmin e tregut lidhur me politikat e tij të kriptovalutave.
Pasi Trump fitoi zgjedhjet, pritet që zhvillimet pozitive për kriptovalutat të vazhdojnë, pasi ai e ka shpallur SHBA-në si “kryeqytet kripto” të planetit, duke dhënë një nxitje për investitorët dhe tregun në përgjithësi.
Aktualisht, madhësia e tregut të Bitcoin është rritur në 2,14 trilionë dollarë, ndërsa vëllimi i tregtisë 24-orëshe ka arritur në 111,5 miliardë dollarë, sipas të dhënave nga Coinmarketcap. Ky zhvillim i fuqishëm i tregut të Bitcoin tregon se kriptovalutat vazhdojnë të mbeten një faktor kyç në ekonominë globale./UBTNews/