UBT News

Bislimi: Vendimi për reciprocitet iu komunikua Bashkësisë Ndërkombëtare 12 ditë para zbatimit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh shefi i delegacionit kosovar në Bruksel, Besnik Bislimi, u është përgjigjur deputetëve të Kuvendit në lidhje me marrëveshjen për targat.

Ai tha se në këto diskutime për targat kishte shumë të pavërteta, e njëra prej tyre ishte edhe ajo se vendimi për reciprocitetin ishte i pa konsultuar  me opozitën dhe Bashkësinë Ndërkombëtare.

“Ky vendim u është komunikuar si Bashkësisë Ndërkombëtare ashtu edhe opinionit vendor që në datën  9 shtatorit 2021, do të thotë 12 ditë para fillimit të zbatimit të tij dhe unë deri më sot nuk e kam ditur që Ministria e Punëve të Brendshme duhet të konsultohet me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së para se marrë ndonjë vendim operativ”, u shpreh Bislimi.

Bislimi iu përgjigj edhe asaj që u tha në kuvend se për dy dekada Serbia ka lëshuar targa ilegale dhe nuk janë pranuar kurrë nga Kosova.

Ai këtë deklaratë e quajti gjysëm të vërtetë, përcjell KlanKosova.tv.

“Është e vërtetë që Serbia për dy dekada ka lëshuar targa ilegale, por jo edhe se nuk janë pranuar kurrë nga Kosova. Ato janë pranuar, janë toleruar dhe lejuar dhe janë parkuar edhe para ndërtesës së Qeverisë për vite me radhë” u shpreh Bislimi para deputetëve

Exit mobile version