UBT News

​Bislimi tregon rastet kur Lajçak nuk ka qenë neutral në dialog

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat për heqjen e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

Bislimi në Komisionin parlamentar për integrime evropiane, tha se ka paqartësi brenda vetë BE-së se cili është mekanizmi për largimin e masave, por sipas tij ka edhe presion nga vendet anëtare se pse i janë vendosur masa Kosovës, ndërkaq, Serbisë nuk i janë vendosur masa, përkundër agresionit terrorist në Banjskë.

Bislimi gjatë raportimit para deputetëve të premten, renditi disa prej shqetësimeve të tij kur ndërmjetësuesi i dialogut Miroslav Lajçak nuk ka qenë neutral në këtë proces. Ai theksoi nevojën që Bashkimi Evropian të ketë një qasje të barabartë në dialog, derisa shtoi se i kanë dërguar një raport prej 48 faqesh Bashkimit Evropian për agresionin terrorist serb në Banjskë, mirëpo nënvizoi nevojën që tash prokuroria të del me raport dhe të lëshojë fletarrest për Milan Radojçiq.

“Është shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian sa më shpejt t’i tërheqë masat represive ndaj Kosovës, pasi Kosova ka përmbushur kërkesat bazë para vendosjes së masave dhe kemi një situatë të qetë dhe përmes heqjes së masave, atëherë i gjithë fokusi kthehet në avancimin e integrimit evropian të Kosovës. Ka paqartësi brenda vendeve anëtare, se cili është mekanizmi për largimin e masave, por ka presion dhe frustrim edhe brenda vendeve anëtare se si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm pse ka dërguar katër kryetar komunash në zyrat e tyre që i kanë fituar përmes zgjedhjeve legjitime. Ndërsa, Serbia nuk ka masa edhe për shkak të agresionit terrorist që ka bërë në Banjska. Pra ka një qasje krejtësisht të pa balancuar të Bashkimit Evropian dhe një qasje që ka dëmtuar vendin tonë”, tha Bislimi.

Kryetarja e Komisionit për integrime, njëherësh deputete e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ngriti shqetësimin e saj për vazhdimin e masave ndëshkuese dhe mos largimin e tyre, përkundër disa hapave të ndërmarra për zgjedhjet e reja në katër komunat veriore.

“Nuk po dimë ende datë edhe pas shtensionimit të situatës në veri. Tash janë zgjedhjet dhe me siguri do të hiqen edhe masat. Por, ne nuk kemi parë punë që keni bërë që të ndëshkohet Serbia dhe jo Kosova”, theksoi ajo.

I pyetur nga deputetët, Bislimi foli edhe për rolin e përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Ai përmendi disa raste, që sipas tij kanë treguar mungesën e neutralitetit të diplomatit sllovak në procesin e dialogut.

“Ka një sërë rastesh apo procesesh kur ne besojmë se lehtësuesi është dashur të mbajë një qëndrim të balancuar ose të mos mbajë qëndrim. Një prej rasteve është propozimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave edhe për mbajtësit e pasaportave ilegale të lëshuara në Beograd. Ka një qëndrim të përfaqësuesit special se kjo temë nuk është trajtuar në dialog. Rrjedhimisht sipas këtij interpretimi, vendimi i Komisionit për lejimin ose jo të vizave për mbajtësit e pasaportave ilegale nuk duhet të ndërlidhet me procesin e dialogut. Në anën tjetër, Lajçak është udhëheqës i procesit të dialogut dhe duhet të jetë i paanshëm. Gjëja më e mirë do të ishte të mos mbante qëndrim, ndërkohë ne kemi rastin se zyra e Lajcak ka mbajtur qëndrim agresiv në favor të mbështetjes së këtij propozimi. Kjo për neve është shumë shqetësuese dhe këtë ia kemi thënë edhe Lajçak, se ai duhet të mbajë qëndrim neutral. Rasti i dytë ka të bëjë me zgjedhjet në veri”, theksoi Bislimi.

Ai shtoi se është e domosdoshme që procesi integrues i Kosovës në Bashkimin Evropian të ndahet nga dialogu.

“Në rastin e Serbisë, atyre i është mundësuar që paralelisht të ecin me të dyja këto dhe rrjedhimisht pas pesë vjetësh të anëtarësohen në Bashkim Evropian. Ndërkaq te rasti i Kosovës thuhet se edhe për progres të integrimit, fillimisht duhet të ketë progres në dialog. Kjo do të thotë i njëjti proces që kërkon për Serbinë pesë vjet, për Kosovën do të kërkonte dhjetë vjet, sepse një herë kërkohet avancimi në dialog, pastaj mundësia e progresit në integrime evropiane. Ne kemi thënë se po, dialogu duhet të jetë i rëndësishëm, sepse BE-ja nuk dëshiron të ketë vende anëtare që kanë paqartësi bilaterale, por kjo nuk do të pengojë ecurinë e Kosovës drejt integrimit. Ne kemi kërkuar që trajtimi i Kosovës të jetë i njëjtë me atë që i bëhet Serbisë”, deklaroi Bislimi.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj u shpreh e habitur, siç tha ajo edhe katër muaj pas sulmit terrorist në Banjskë, qeveria nuk ka hartuar një raport për atë që ka ndodhur.

“I kujt është dështimi pse Serbia nuk ka sanksione për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në veri dhe sulmit terrorist. A është neglizhencë e qeverisë që ta elaborojë saktë se çka ka ndodhur? A është më i madh sulmi terrorist apo ato veprime që kanë ndodhur në veri…Ku është neglizhenca e qeverisë, qe katër muaj ka ndodhur sulmi në Banjskë dhe ne ende nuk kemi një raport se çfarë ka ndodhur. Si është mundur që katër muaj qeveria nuk është në gjendje të bëjë një raport për sulmin në veri”, tha Kadrijaj.

Bislimi sqaroi me këtë rast se ekzekutivi ka bërë një raport 48 faqesh për Banjskën, të cilën ia ka dërguar Bashkimit Evropian, por nevojitet që Prokuroria të bëjë publik në tërësi raportin dhe të lëshojë fletarrest për Radojçiq dhe kriminelët e tjerë që kanë marrë pjesë në agresionin terrorist ndaj Kosovës.

“Ne i kemi dërguar 48 faqe raport për Banjskën, Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtar dhe secilës ambasadë në Bruksel. Por publikimi i raportit duhet bërë nga prokurori. Prokurori nuk është qeveri. Ne po bëjmë presion publik, bëni edhe ju që të publikohet raporti. Na ndihmoni që prokuroria të publikojë raportin dhe të nxjerrë fletarrestin për Radojçiq dhe të gjithë kriminelët të tjerë. Ndihmona në këtë drejtim që Radojçiq të mos sillet rreth veriut, sesa kohë që sillet i lirë dhe Serbia rreth kampeve ushtarake të saj përgatit dhe trajton të rinjtë nga Kosova, rreziku ndaj sigurisë në Kosovë do të jetë permanent”, tha Bislimi.

Më pas reagoi sërish deputetja Kadrijaj, e cila akuzoi Bislimin se kanë pasur koordinim me Radojçiq, përmes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

“Ju zotëri zëvendëskryeministër keni pasur koordinim me aferën ‘Zdravo’. Shefja e grupit parlamentar, e cila nuk mundet pa qenë e koordinuar me Albin Kurtin të ketë raporte të tilla me Radojçiq. Këto janë fakte publike të aferës suaj”, tha Kadrijaj.

Por zëvendëskryeministri Bislimi, duke ironizuar tha se si rezultat i këtij koordinimi tash Radojçiq është në Serbi, ndërsa qëndronte në Zyrën e Kryeministrit në kohën e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Si rezultat i këtij koordinimi të shkëlqyer që kemi me Radojçiq, ai është në Kopaonik dhe i rrezikuar nga institucionet ndërkombëtar. Si rezultat i mos koordinimit dhe qasjes së pakoordinuar që keni pasur ju ai ka qëndruar në zyrën e ish-kryeministrit Haradinaj”, tha Bislimi.

Në këtë polemikë u përfshi edhe deputeti i LVV-së, Agon Batusha, i cili tha se gjatë qeverisjes së Haradinajt, Milan Radojçiq sillej në Gjakovë me armë në brez.

Ndërkaq komisioni nuk pati kuorum në vendimmarrje për miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare që ishin në rend të ditës, pasi në momentin e votimit, deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, e lëshoi sallën.

Exit mobile version