Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se tashmë ekzistojnë prova të mjaftueshme që sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës është organizuar nga Beogradi zyrtar.
Në një takim me ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen, numri dy i ekzekutivit ka theksuar se skenari ka qenë i pagatitur me qëllim që të destabilizojë Republikën e Kosovës.
“Nga prezenca e organizimi i sulmit terrorist nga Milan Radojçiq, prezenca e truprojës së shefit të BIA, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë, strehimi i terroristëve në Serbi dhe glorifikimi i tyre. Pamjet e publikuara ditën e djeshme dhe armatimi i konfiskuar tregojnë për planifikimin e skenarin e përgatitur nga Serbia. Ky ka qenë një skenar i përgatitur nga Beogradi zyrtar për destabilizimin e Republikës së Kosovës”, është theksuar në komunikatën e Qeverisë.
Në takim u bisedua edhe mbi perspektivën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Bislimi ka theksuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në procesin e integrimit evropian dhe përmbushjes së reformave.