Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrim Evropian tha se rasti i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është konstrukt artificial i ndërtuar nga partitë opozitare në Kosovë dhe se ndaj tij nuk ka asnjë rast gjyqësor, ndaj të gjitha këto janë spekulime dhe sipas tij opozita mund të vazhdojë me këto deklarime për ndonjë poenë politik.
Rrezarta Krasniqi nga LDK tha se raporti i DASh-it ka dëshmuar të kundërtën e asaj që thotë qeveria për luftimin e korrupsionit duke përmendur pikërisht rastin e ambasadorit Berishaj dhe tashmë të kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Sa i takon arrestimit të ish-kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi, Bislimi tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk po merret me 30 rastet e dorëzuara nga menaxhmenti i KEK-ut, por me Krasniqin sepse KEK si ndërmarrje publike ka shënuar përparim dhe mjetet e dala nga kjo ndërmarrje nuk kanë shkuar tek politikanët dhe as në jahte.
Ndërsa, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ngriti si çështje pakënaqësitë e familjarëve te pagjeturve per deklaratën për të pagjeturit dhe ikjen e lartë të qytetarëve nga Kosova.
Lidhur me Deklaratën për të Zhdukurit të dakorduar tashmë në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se opozita në Kosovë është i vetmi grupacion që mendon se atje po barazohet xhelati me viktimën. Sipas tij, kjo është shumë e gabueshme dhe nuk i shërben interesit tonë publik për gjetjen e personave tonë të pagjetur.