UBT News

​Bislimi pas intervistimit: S’pati kuptim hetimor, qëllimi ishte për tituj medial

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka akuzuar mënyrën se si është trajtuar intervistimi i tij nga Prokuroria lidhur me hetimet për funksionalizimin e fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas.

Bislimi pas intevistimit nga Prokuroria Speciale, ka shkruar në Facebook se ndonëse ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, intervista njëorëshe e gjysmë nuk përmbante asnjë pyetje që, sipas tij, i drejtohet zakonisht një dëshmitari. Sipas Bislimit, informacionet që ka dhënë mund të ishin siguruar përmes një kërkimi të thjeshtë, pa qenë nevoja për intervistim.

Sot isha në prokurori i ftuar në cilësinë e dëshmitarit në hetimet e prokurorisë rreth funksionalizimit të fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas. Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari. Po ashtu arrita të konfirmoj që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa patur nevojë fare për intervistim. Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Bislimi ka shprehur shqetësimin e tij për, siç thotë ai, praninë e portaleve në hyrje të ndërtesës ku është mbajtur intervista, gjë që, sipas tij, nuk ndodh zakonisht kur ftohen dëshmitarë.

Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trilateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin “skandal”. “Skandal” që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias. Kjo e vendosë prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet”, ka theksuar ai.

Bislimi ishte ftuar në kuadër të hetimeve që lidhen me kontratën për mbetjet nën shtazore, të Ministrisë së Bujqësisë, e drejtuar nga ministri në detyrë Faton Peci.

Prokuroria Speciale ka thënë se Besnik Bislimi u intervistua në cilësinë e dëshmitarit.

Exit mobile version