UBT News

“Në asnjë fjali të vetme nuk është përmendur Asociacioni”, Bislimi flet për takimin në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është deklaruar lidhur me takimin në kuadër të dialogut që u zhvillua së fundi në Bruksel.

Bislimi tha se në Bruksel fillimisht kanë pasur takime të ndara të përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre nga BE-ja, e më pas Serbi-BE.

Sipas tij, takimi Kosovë-Bashkimi Evropian është mbajtur të martën dhe ka zgjatur 6 orë e gjysmë duke shtuar këtu edhe 1 or e 20 minuta takime në mes Bislimit dhe Lajçak.

Bislimi tha se në këtë takim janë identifikuar 11 marrëveshje në të cilat Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saj dhe se në asnjë fjali të vetme nuk është përmendur Asociacioni.

Ai tha se e vetmja çështje ku qëndrimi i Kosovës dhe BE-së nuk ishte i njëjtë kishte të bënte me tabelat KS.

“Çka u tha rreth asociacionit në takimin trepalësh në Bruksel?Në Bruksel kemi pasur fillimisht takime të ndara Kosovë-BE dhe Serbi-BE. Takimi Kosovë-BE është mbajtur ditën e martë dhe ka zgjatur 6 orë e gjysmë, plus 1 orë e 20 minuta dy takime tet-a-tet mes meje dhe z. Lajçak. Në këtë takim mes tjerash kemi identifikuar 11 marrëveshje në të cilat Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saja. Me asnjë fjali të vetme nuk është përmendur asociacioni. E vetmja çështje ku qëndrimi ynë dhe i BE nuk ka qenë i njëjtë kishte të bënte me tabelat KS. Takimi Serbi-BE është mbajtur të mërkurën në mëngjes dhe ka zgjatur afërsisht 3 orë. Pala serbe ka ngritur 5 tema ku ka pretenduar që pala kosovare nuk i ka përmbushur obligimet e saj.Takimi trepalësh Kosovë-Serbi-BE është mbajtur të mërkurën me fillim në ora 13 e 30 dhe ka zgjatur 3 orë e 20 minuta. Pala jonë i ka shtruar sërish vërejtjet tona dhe pas nesh pala serbe ka ngritur 5 shqetësimet e saj, natyrisht me fokus kryesor tek asociacioni. Në përgjigjen time ndaj “shqetësimeve” të ekipit serb, kam adresuar edhe asociacionin”, tha Bislimi.

Ai tutje theksoi se në këtë takim ka përmendur ndërmarrjet që operojnë ilegalisht në Kosovë.

“Në përgjigje, te pjesa e asociacionit, fillimisht kam konstatuar mungesën e kredibilitetit moral nga ana e Serbisë për të kërkuar çfarëdo implementimi nga pala kosovare, për aq kohë sa ata vetë nuk kanë implementuar asnjë marrëveshje tek e cila nuk kanë parë përfitim për Serbinë. Pastaj i kam radhitur të gjitha strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë si në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa, dhe kam vërtetuar që me kohë Serbia jo që ka punuar në shuarjen e tyre, por i ka fuqizuar të njëjtat, përfshirë vendimet për emërime të nënshkruara nga individë kyç si presidenti, kryeministri apo kryetari i parlamentit serb, dhe problemet me transferin ilegal të parave për financim të tyre. Kam përmendur ndërmarrjet që operojnë ilegalisht në Kosovë, si dhe kryetarët e disa komunave të cilët në të njëjtën kohë kanë buruar nga zgjedhjet lokale në Kosovë dhe financohen nga buxheti i Kosovës dhe janë edhe të emëruar si kryetarë të “institucioneve të përkohshme” të Serbisë në Kosovë”, shtoi Bislimi.

Zv/kryeministri i Qeverisë Kurti theksoi se vetëm atëherë kur në Kosovë të mos funksionojë asnjë strukturë paralele serbe, kur s’do të ketë financim ilegal nga Serbia dhe kur askush në Evropë të mos e kontestojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, mund të ketë diskutime serioze dhe modalitet për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të minoriteteve.

“Kam konstatuar se këto struktura, Serbia nuk është duke i ngritur pa ndonjë arsye, dhe që ata kanë si synim legalizimin e të njëjtave përmes asociacionit. Poashtu kam shtuar se vetëm atëherë kur në Kosovë të mos funksionojë asnjë strukturë paralele serbe; kur nuk do ketë financim ilegal nga Serbia dhe kur askush në Evropë të mos e kontestojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, mund të ulemi dhe diskutojmë seriozisht për modalitetet më të përshtatshme për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të minoriteteve, natyrisht, nëse edhe vetë minoritet e konsiderojnë këtë të nevojshme, duke përmendur faktin që pas hedhjes poshtë të asociacionit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, asnjë serb i Kosovës nuk protestoi por vetëm Beogradi reagoi”, tha ai.

Exit mobile version