UBT News

Bislimi në Berlin, pritet nga Ministri gjerman për Evropë, Gunther Krichbaum

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Berlin, zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, u prit nga Ministri i Shtetit për Evropë i Gjermanisë, Gunther Krichbaum.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit, Bislimi e informoi ministrin Krichbaum mbi ecurinë ekonomike dhe progresin demokratik të Kosovës, duke përmendur rritjen ekonomike, uljen e papunësisë, rritjen e prodhimtarisë, si dhe përpjekjet për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Në bisedat rreth integrimit evropian, Bislimi theksoi rëndësinë e pranimit të pyetësorit dhe marrjes së statusit të vendit kandidat, i cili do të hapë rrugë për bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe avancimin e perspektivës evropiane.

Ai nënvizoi se integrimi në BE mbetet orientim strategjik dhe aspiratë kryesore për Kosovën, duke shtuar se mbështetja qytetare për anëtarësimin në BE është më e larta në rajon.

Po ashtu, Bislimi diskutoi mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, aktualitetin në vend, situatën në rajon dhe zhvillimet në dialogun me Serbinë.

Në përfundim, Bislimi falënderoi ministrin Krichbaum për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës. Takimit iu bashkua edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti./EO

Exit mobile version