Ai ka thënë se nuk ka pasur takim trilateral mes palëve dhe se në takim, u trajtuan tema të cilat ndërlidhen me zbatimin e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit, Aneksit Implementues të 18 marsit dhe planin e ri për ecjen përpara të 21 tetorit.
“Ky ishte takimi vijues i procesit pas atij të 26 tetorit me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së, ku Republika e Kosovës theksoi qëndrimet e saj si dhe gatishmërinë për nënshkrim dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve”, ka thënë ai.
Draft-propozimi për zbatim të nenit 7 ndërlidhur me nenin 10 nuk ishte pjesë e diskutimeve, por u ritheksua qëndrimi i kryeministrit Kurti të paraqitur më 26 tetor para liderëve, që nënkupton se ecja tutje duhet bërë në pajtim me parimin se vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe zbatim të marrëveshjeve.
Në diskutimin mbi planin e sekuencimit të zbatimit u paraqitën komentet tona që insistojnë në zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike.
Në takim u trajtuan dhe marrëveshjet të cilat kanë hasur në pengesa e moszbatueshmëri në proces nga pala serbe, siç janë ajo e energjisë dhe çështja e personave të zhdukur me dhunë.
Kosova u pajtua me draftin e dokumentit për termat e referencës për zbatimin e Deklaratës mbi Personat e Pagjetur, pas pranimit nga ana e BE-së të komentit tonë, ka thënë Bislimi.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, vijon të mbetet e përkushtuar dhe palë konstruktive në proces, e angazhuar maksimalisht për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.