Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e mbetur pezull apo e pazgjidhur e procesit të dialogut, por sipas tij është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitet 2015 dhe 2016.
Për më tepër, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se plani implementues i BE-së i datës 5 gusht 2016, e konsideron hapjen e urës si “Simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera”.
Raporti për Vendin i vitit 2020 nga ana e Komisionit Evropian për Kosovën, sipas Besnik Bislimit e nxjerr konkluzionin si në vijim: “Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”. Ky sipas Besnik Bislimit është formulimi i BE-së, por marrëveshja është arritur mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në vizitën e fundit të emisarit Lajçak në Kosovë më 19 qershor, gjatë takimit që e patëm, mbi urën e Ibrit ai deklaroi se nëse Kosova nuk preferon ta diskutojë përsëri këtë çështje në Bruksel, rekomandimi i tij ishte që diskutime të brendshme me serbët lokal në veri të zhvillohen, për të adresuar implikimet e mundshme të sigurisë dhe shqetësimet e tyre lidhur me çështjen. Ndërkohë, një partner i QUINT-it, shtoi kërkesën për inspektime teknike”, ka shkruar Besnik Bislimi në rrjetin social Facebook.
Ai tha se i kanë ndjekur të dyja këto rekomandime.
“Tani BE-ja po kërcënon Kosovën, në rast se ajo zbaton vetë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE dhe rekomandimet shtesë. Qeveria e Republikës së Kosovës beson fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive”, përfundoi Bislimi./UBTNews/