Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi u takua sot në Bruksel me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyin.
Takimi, siç u bë e ditur në komunikatë, u fokusua në bisedime mbi të arriturat e Kosovës, rrugëtimin në integrimin evropian të vendit dhe hapat e ardhshëm. Vëmendja e Qeverisë është e orientuar fuqishëm kah zbatimi i reformave në kuadër të agjendës evropiane.
“Zëvendëskryeministri Bislimi potencoi mesazhin e përkushtimit dhe angazhimit të Kosovës për të ecur bindshëm drejt Bashkimit Evropian dhe vijimësinë në trajektoren e progresit në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale, zhvillim ekonomik e kohezion shoqëror”, u bë e ditur në komunikatë.
Bislimi e falënderoi Varhelyin për bisedën e frytshme, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në rrugëtimin dhe proceset e integrimit evropian të Kosovës.