Për dy ditë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka qëndruar në Bruksel ku është takuar me kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviq takim i ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Bislimi thotë se me palën serbe kanë biseduar vetëm për çështjen e të pagjeturve. Me këtë rast ai tha edhe se kanë kërkuar të intensifikohen përpjekjet për gjetjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.
“Familjet kanë nevojë të dijnë fatin e familjarëve të tyre sa më parë. Ky është mesazhi që kemi përçuar në këto bisedime me Serbinë, ku tema e vetme ishin të pagjeturit. Kemi kërkuar të intensifikohen përpjekjet për gjetjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, ka shkruar Bislimi në Twitter.
Kurse Lajçak pas takimit që pati me shefat e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë ka thënë se pozicionet e palëve në disa çështje mbesin shumë larg.